Tirana ka vijuar ditën e djeshme seancën stërvitore për t’u përgatitur për ndeshjen direkte ndaj Vllaznisë, të dielën në orën 16:00 në Loro Boriçi për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Bardheblutë duan të “vrasin” kampionatin që tani teksa një fitore e mundshme do i dërgonte 9 pikë larg shkodranëve.
Mirëpo, do të jetë shumë e vështirë për kampionët në fuqi. Trajnerit Shehi po i shtohen dhimbjet e kokës teksa blerja e bujshme, Kristal Abazaj, nuk jep shumë shpresa për një rikuperim të shpejtë dhe rrezikon të mos rikthehet as në muajin mars. 26-vjeçari ndodhet në Kroaci ku po trajtohet për zgjatjen e ligamentit.
Abazaj ishte një mungesë e konfirmuar dhe nuk “prish” dhe aq shumë planet e Shehit por Florent Hasani është padyshim një nga hallkat kryesore të kësaj skuadre. Sulmuesi kosovar, sëbashku me Bruno Lulajn, kanë shfaqur probleme në stërvitjen e djeshme dhe rrezikojnë Klasiken. Mungesë e sigurtë, veç Abazajt është edhe Albano Aleksi i cili është skualifikuar për akumulim kartonash.