Sergio RAMOS i bën “karshillëk” Luis ENRIQUES, shpallet “Mbrojtësi më i Mirë në Histori” nga Globe Soccer Awards
Shkruar nga NEWSPORT
Dubai Globe Soccer Awards u mbajt ditën e djeshme në një event madhështor ku yjet e futbollit u bashkuan për shpërndarjen e disa çmimeve prestigjoze. Benzema u shpall “Lojtari i Vitit” ndërsa Alexia Putellas “Lojtarja e Vitit”. Disa nga çmimet e tjera të dhëna janë ato të “Drejtori i Vitit” i fituar nga Paolo Maldini, “Gazetari i Vitit” me fitues Fabrizio Romano e shumë e shumë çmime të tjera që ju dhanë legjendave të këtij sporti.
Një çmim vërtet prestigjoz mori edhe Sergio Ramos i cili u “injorua” nga trajneri Enrique për Botërorin e Katarit. Mbrojtësi i PSG u kurorëzua me çmimin “Mbrojtësi më i Mirë në Histori” duke lënë pas emra legjendar si Paolo Maldini, Beckenbauer, Baresi e shumë të tjerë.
Me këtë çmim, Sergio Ramos i tregon teknikut Enrique se ka humbur një futbollistë, eksperienca e të cilit do të ishte aset në një kompeticion ku presioni është jashtëzakonisht i lartë. Sergio Ramos ka fituar 4 Champions League, 1 Botëror, 2 Europiane, 5 La Liga, 2 Copa del Rey, 4 Superkupa, 4 Botëror klubesh, 3 Superkupa europiane, 1 kampionat francez dhe 1 Superkupë franceze.