
Që pas largimit të Kaleb Ekuban nga Partizani, klubi kryeqytetas nuk po arrin të gjejë një sulmues të mirëfilltë goli jashtë vendit. Edhe pse tratativat kanë qenë të shumta, gjithmonë në çdo sesion merkatoje është dështuar. Ose, ata që janë afruar kanë rezultuar të tillë.
Edhe në këtë periudhë merkatoje, emrat që po përfliten janë të shumtë. Për t'i fryrë siç e do adeti, përmenden edhe klube si Milan apo të tjerë, por që në fakt gjithçka duket si një bashkësi boshe. Te Partizani ka vetëm një sulmues dhe ai quhet Xhuliano Skuka. Dibrani që erdhi jo me shumë pritshmëri, është i vetmi që i jep notë kaluese drejtuesve.
Por, ai nuk mjafton për një sezon të gjatë e të ngjeshur. Kësisoj, me ndryshimet dhe në organigramë, me drejtor sportiv e këshilltar të ri, pritet me interes të shihet nëse ky vit do të jetë ndryshe apo i njëjtë me sezonet e shkuara. Siç duket, që prej largimit të Kaleb Ekuban, 16 herë kampionët e Shqipërisë kanë mbetur me "sëmundje kronike".