
Trajneri i Vllaznisë Goce Sedloski do të bëjë debutimin në stolin shkodran këtë të dielë ndaj Erzenit. Në “Loro Boriçi” kërkohet fitorja dhe tekniku do të ketë në dispozicion grupin e plotë. I vetmi që pritet të mungojë është Geralb Smajli.
Mbrojtësi i djathtë ka munguar gjatë javës në seancat stërvitore pasi vuan një dëmtim në gju. Lojtari pritet që të jetë me ekipin në stërvitjen e së shtunës por nuk do të jetë me grupin në ndeshjen e së dielës.
Nga ana tjetër pritet të rikthehet në formacion mesfushori Alivoda, që mungoi javën e kaluar ndaj Bylisit. Të gatshëm janë edhe Juric, Gurishta dhe Hoxhaj që u stërvitën të diferencuar në stërvitjen e parë të teknikut Sedloski. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë formacioni që do të përdorë trajneri i ri në debutimin ndaj Erzenit.