
Presidenti i nderit të Kukësit, Safet Gjici ka folur për stadiumin e ri dhe sezonin aktual të skuadrës verilindore. Njëherazi edhe kryetari i Bashkisë Kukësi, Gjici ka treguar se janë afro 900 milionë lekë të rinj ose 7.5 milionë euro që janë investuar në Kukës Arena. Stadiumi është shtruar me tapetin e ri dhe pritet që muajin që vjen të jetë gati, pasi specialistët kanë vënë re që bari nuk ka zënë ende rrënjë, duke qenë natyral.
“Kosto e stadiumit? Letrat janë në federatë. Di që ka shkuar 900 e ca milionë lekë të reja.
Duhet të kishim më shumë pikë në futboll, janë të pafalshme. Do kishim pikë dhe do ishim më afër Tiranën. Ndeshja me Skënderbeun dhe Laçin nuk kanë lënë shije të mirë.
Rivalët? Vllaznia, Tirana dhe Laçi. Mund të dalin edhe të tjerë sepse jemi në mesin e kampionatit. Nuk ka ndeshje të lehta, të gjitha skuadrat janë pranë. Çdo ekip duhet vlerësuar maksimalisht, edhe ato që janë poshtë me pikë, sepse ato duan pikë.
VAR të ndihmon, por ne në disa raste në ka penalizuar. Them se ka nisur mirë, por këto gabime do ndodhin. Në fund të sezonit, gjithsecili të marrë atë që i takon. Tifozët na kanë munguar. Kur shoh thyerjen e stolave në derbin e kryeqytetit, nuk ka arsye ta bëjnë.
Sezoni? Me këtë stadium jemi shumë të kënaqur. Të bëjmë akademinë e sportit dhe një Pallat Sporti.
Ekipi i vjetshëm ka qenë më i mirë se këtë vit, kam peng që nuk ishim sezonin e shkuar në Europë”, tha Gjici mes të tjerash për gazetarin Ylli Aga.