Tirana do të luajë të dielën në transfertë kundër Vllaznisë, ndeshje e vlefshme për javën e 21-të të Superiores. Një sfidë që ka prodhuar gjithmonë spektakël në fushën e blertë për vetë kualitetin që kanë të dy ekipet.
Megjithatë bardheblutë duken të “çarmatosur” në këtë takim pasi kanë mungesa të rëndësishme. Veç Aleksit që ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe Kristal Abazajt që vijon terapinë intensivë në Kroaci, në stërvitje kanë shfaqur probleme dhe Florent Hasanin me Bruno Lulajn.
Për këta të fundit ende nuk dihet nëse do të mund të jenë ose jo në fushë kundër shkodranëve. Mungesa e mundshme e tyre prish padyshim planet e trajnerit Orges Shehi. Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë me sfidën që është programuar të zhvillohet në orën 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.