
Partizani luajti dje kundër Tiranës, ndeshje që përfundoi në barazim 1-1. Të kuqtë surprizuan në këtë derbi, pasi hynin si jofavoritë dhe me plot 5 mungesa për shkak të lojtarëve të infektuar me Coronavirus. Megjithatë në fushën e blertë luajtën si të barabartë, madje ishin pranë fitores nëse Ernest Muçi nuk do të kishte shënjestruar në minutat shtesë.
Diferenca u vu re në mesin e fushës. Edhe pse te bardheblutë ka një lojtar si Idi Batha që këtë sezon ka bërë mjaft mirë, duhet thënë që Rron Broja ishte padyshim heroi i ndeshjes së djeshme. Mesfushori i kuq arriti të thyente çdo aksion të Tiranës, duke formuar atë që në gjuhën sportive quhet "digë". Vrapoi shumë dhe në të njëjtën linjë me Telushin, arritën të markonin si duhet kundërshtarin. Përgjatë gjithë 90 minutave, Agustin Torasa ishte në hije. Shtatlarti i mesfushës së Partizanit nuk e la të niste asnjë aksion duke i bllokuar në këtë mënyrë futbollistin më të rrezikshëm të këtij sezoni.
Por, kjo nuk ishte hera e parë që 24-vjeçari nga Mitrovica bënte një ndeshje të tillë. Gjithëkush që mund ta mbajë mend me detaje derbin e 20 shkurtit ku Tirana e "masakroi" me rezultatin 5-1 Partizanin, zëvendësimi i Sormanit në minutën e 58-të prishi ekuilibrat e takimit. Rron Broja i la vendin Esat Malës dhe deri në atë moment ndeshja ishte 2-1 për bardheblutë. Edhe analistët ishin të njëjtën linjë mendimi që Partizani me Brojën në fushë po e rrezikonte shumë skuadrën e Egbo-së, edhe pse ishte në disavantazh të 1 goli. Pas zëvendësimit të kryer, në atë takim s'pati më vend për histori pasi Tirana "bëri qef" në çdo repart të fushës.
Ndoshta Sormani do të vijojë të qëndrojë te kampionët, ndoshta jo. Por, nëse vijon bashkëpunimi ai duhet ta studiojë mirë shtatlartin që ka në mesin e fushës, pasi puna e palodhshme e tij jep frytet e veta, siç ishte dhe ndeshja pozitive kundër Tiranës. /Newsport.al/