Enea Jorgji ka dhënë një intervistë të veçantë sot në emisionin “Vizioni i Pasdites” ku ka rrëfyer për herë të parë rrugëtimin e tij drejt arbitrimit duke mos lënë pa përmendur edhe momente të veçanta në karrierën e tij si ajo e ndeshjes Kukësi – Skënderbeu apo momentet më të mira kur gjykoi në Europë.
Si nisi karriera e arbitrimit?
Kam qenë futbollist me moshat e Elbasanit! Kur erdhi periudha për t’u shkulluar dhe për të ndjekur studimet në Universitetin e Lartë të Ekonomisë, isha në mes të një zgjedhje, mes të qenurit futbollist edhe të vazhduarit të shkollimit. Prindërit si të gjithë, mendonin për shkollimin. Ndikuan dhe më sygjeruan të vazhdoja shkollën.
Arbitrimi erdhi si një alternativë e futbollit për të qenë afër me futbollin. Një nga ish-arbitrat e vjetër në Elbasan më sugjeroi për t’u afruar. Plarent Kotherja, shefi i arbitrave në atë kohë u angazhua dhe më sugjeroi për t’u afruar pranë FSHF-së. Kjo ishte një pikënisje që më solli këtu ku jam sot.
Momenti më i vështirë?
Momenti më i vështirë në karrierë ka qenë një ndeshje që vendosi sezonin, mes Kukësit dhe Skënderbeut. Me vendimmarrjet e mia atë kohe, u acaruan tifozët, por gjithçka është lënë pas tani më dhe besoj se gjithsecili duhet ta ketë kuptuar që nuk ka qenë Enea ai i asaj ndeshje.
Ndeshja e parë në FIFA?
Ka qenë një mini-turne, kështu veprohet në UEFA. FIllohet me kategoritë e grupmoshave. Ndeshja e parë e vërtetë ka qenë në Holandë, mes Tuentes dhe Santa Kolomës. Emocion i paparë, me gabimet e veta në atë kohë. Ndeshje pas ndeshje kam arritur të nxjerr gabime dhe t’i rikuperoj.
Ndeshja më e bukur?
Ka disa, por një nga më të bukurat ka qenë Beshiktash-Slovan Bratislava në Turqi. Atmosferë e jashtëzakonshme. Ndeshje me rivalitet të fortë. Rezultati shkoi deri në fund i ngushtë. Emocion i paparë ka qenë dhe Spanjë-Ishujt Faroe. Spanja vinte mbas trofeut të Kupës së Botës. Për mua emocion është çdo ndeshje.
Komentet e rëndomtë për arbitrat?
Këtë terminologjinë, arbitri është i shitur, nuk e kam kuptuar kurrë me thënë të drejtën. Realisht as blihem as shitem, por është një term shumë i rëndomtë që nuk dua të zgjatem për ta shpjeguar pse dhe si. Përpiqem që mos dëgjoj dhe mos lexoj, për të qenë vetë më i qetë”, u shpreh Jorgji.