Vllaznia luan nesër në 21:00 me Universitatea Craiova për turin e dytë në Conference League. Në “Loro Boriçi”, kuqeblutë kërkojnë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë.
Përpara duelit ka folur edhe trajneri Mirel Josa. Numri një i pankinës shkodrane ka kërkuar përqëndrim në fushë, duke treguar se gjërat janë bërë me radhë në përgatitjet e këtij dueli.
“Jam i sigurt se ekipi ka ardhur në gjendje optimale. Mendimi i strukturave të klubit është i gjithi te ndeshja. Marrja pjesë në turin e dytë në ka bërë që të kemi më shumë kohë për përgatitje. Edhe koha e pushimit ka qenë e nevojshme.
Të gjitha gjërat i kemi bërë në renditjen e duhur, për ta ardhur në formën e duhur.
Formacioni? Ky është meraku juaj. Nuk kam pasur gjëra për të ndryshuar. Duke qenë se ekipi më është përgjigjur edhe në stërvitje, nuk kemi pasur as probleme muskulare. Latifin do e kemi në formë pas pak kohe. E kam në kokë formacionin që do luajë nesër.
Kundërshtari? Është me histori në futbollin rumun. Mbaj mend që kam luajtur kundër Dinamos së Bukureshtit, dhe kanë qenë në 3 ekipet më të mira. Kanë president dhe infrastrukturë të mirë. Futbolli ka vëmendje atje, presidenti ka qenë brenda futbollit dhe kjo është e mirë për ta.
Luhet në skuadër, meqë donit pikat e forta dhe të dobëta. I kam ndjekur dhe lojtarët e tyre. Më interson më shumë se çfarë do bëjë ekipi im.
Njohja? Luajtën vjet me Laçin dhe nuk favorizohemi sepse do marrin masat ndryshe. Unë e di çfarë lojtarësh kam, di çfarë mund të bëjnë edhe nëse bashkëpunojnë në fushë.
Buxhetet në futboll të japin prioritet për t’u formuar, por ekipi që impenjohet më shumë në fushë është ai që vlen. Rregullat e UEFA janë favor, në bazë të rezultatit të parë do shohim si do menaxhojmë ndeshjen në transfertë.
Fusha jashtë apo brenda, tregon nivelin e saj në lojë. Strategjia jonë është që të jemi të kujdesshëm, por jo duke ndenjur pas.
Tifozët dhe incidente? Keni precedentët e ndeshjes të kaluar vjet, ndaj Siroki Brijeg. Pësimi të bëhet mësim. Tifozët janë armë plus. Unë jam i ngrohtë me ta nga ndeshjet e shkuara, kam entuziazëm. Që ditët e para në Shkodër, kam parë që tifozët e njohin futbollit.
Kush do të kopjojë Josën për golat në Europë? Ka qenë ndjesi e mirë e imja përpara për çfarë ka ndodhur dhe golat në Europë. Problemi është çfarë do bëjmë sot, se futbolli ka ndryshuar shumë nga 1986. Do bëj gabim nëse do mendoj çfarë bëra unë atëherë në fushë dhe djemtë tani.
Djemtë stërviten ndryshe, kanë aftësi më të mira se ne atëherë, nuk jam hipokrit.
Vllaznia asnjëherë në turin e tretë? Më kujtove një histori të hidhur. Mos vijë puna deri në minutat e fundit. Të përgatitemi mos humbasim ekuilibrat në fushë dhe ato mendor.
Stili i lojës? Unë skuadër cinike i them edhe në sulm edhe në mbrojtje. Janë gjëra që bashkohen”, tha Josa.