
Teuta do të luajë ndeshjen e parë pas rikthimit të futbollit nga pandemia në Laç. Një ndeshje delicate për durrsakët pasi përballë do të kenë një rival direkt për të kapur Kupat e Europës. Në një prononcim për “Supersport”, trajneri I Teutës, Edi Martini foli për gjendjen e skuadrës, transfertën në Laç, por dhe objektivin që skuadra ka këtë sezon.
“Ishte periudhë shumë e gjatë, e lodhshme nga ana mendore dhe dificite nga ana fizike. Ritmi i lojës do të jetë problem. Presim surpriza në lojë, sepse të mungosh dy muaj në mes të kampionatit është e vështirë, një enigmë që edhe ne presim të shohim se do të jetë e si do t’ia dalin çunat.
Gjendja është e mirë, me përjashtim të disa lojtarëve që kanë ardhur më vonë, si Abdyli dhe Herlic. Unë shpresoj shumë, sepse ata po punojnë dy herë në ditë që të kapin ritmin e skuadrës. Pjesa tjetër gëzon një formë të mire”.
Sfida ndaj Laçit? “Është një ndeshje që i ka të tri rezultatet. Jemi në një moment ku duhet të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë”.
Objektivi? “Dëshira ime është të fitojmë Kupën, por Europën nuk do të doja ta lija në dorë të fatit, dua ta sigurojmë nëpërmjet kampionatit”.