
FSHF pak ditë më parë në Tiranë hapi një dyqan me veshje sportive dhe me çdo artikull tjetër që tifozëve kuqezi iu intereson për Kombëtaren. Ndërsa e njëjta gjë, por edhe "info point" janë hapur sot në Marsejë për takimin që do të luhet nesër mbrëma mes Shqipërisë dhe Francës në "Vellodrome". Duke parë interesimin e tifozëve kuqezi, FSHF ka ndërmarrë këtë hap për të afruar më tepër mbështetësit e Kombëtares.
"Federata Shqiptare e Futbollit, për të krijuar sa më shumë lehtësi për tifozët shqiptarë që do të ndjekin ndeshjen Francë – Shqipëri, që do të luhet nesër në mbrëmje në stadiumin “Vellodrome” të Marsejës, ka bërë disa organizime mjaft interesante dhe praktike. Kështu janë hapur dy dyqane me bluzat e Kombëtares dhe shumë artikuj të tjerë nga merchandizing zyrtar i kombëtares, që FSHF ka organizuar për t’i sjellë afër tifozëve të shqipërisë. Adresa e tyre në Marsejë janë si më poshtë: Dyqani i parë gjendet në 22, Rue de la Loge 13002 Marsejë Metro1, Station Vieux Port. Ndërsa dyqani i dytë: 3, Boulevard Rabatau, 13008 Marsejë Metro 2 Station Rond Point du Prado".
"Gjithashtu, është hapur një pikë informacioni (Infopoint) për tifozët, pranë qendrës 'The Cube', në portin e vjetër të Marsejës, ku FSHF në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit bregdetar francez, kanë vënë në dispozicion edhe një fletëpalosje dhe informacione të ndryshme në lidhje me ditën stadiumin, dyqanet dhe info te tjera te dobishme si parkimi, transporti publik, etj. Dyqanet dhe pika e informacionit janë frekuentuar sot nga qindra tifozë shqiptarë", ky është njoftimi i FSHF-së në web sajtin e saj.