Për 6 vjet ishin ata të cilët fituan rresht trofeun në Superligë, por humbja e titullit për këtë sezon, patjetër që do të sjellë revolucion te korçarët.
Drejtuesit bardhekuq janë me listë në dorë duke planifikuar ndryshimet e mëdha për sezonin e ardhshëm dhe pritet që të ndodhin largime dhe afrime të shumta në merkaton e verës.
I pari në ikje është Liridon Latifi, që ka oferta nga disa klube europiane ku Genti në Belgjikë duket më pranë se kurrë lojtarit kosovar. Por, edhe Lacio mbetet një mundësi për Latifin që është vëzhguar edhe nga Igli Tare gjatë grumbullimeve të Kombëtares.
Por Latifi nuk do të jetë i vetmi largim “big” nga Skënderbeu kur të mbyllet sezoni aktual pasi në ikje janë edhe tre lojtarë kryesorë që kanë luajtur gjatë gjithë sezonit titullarë me fanellën e Skënbderbeut. Bëhet fjalë për Hamdi Salihin, Nuruden Orelesin dhe Xhejms Adenji, që janë me valixhe në duar dhe pas finales së Kupës ndaj Tiranës pritet të japin lamtumirën.
