
Alban Tafaj, i ftuar në emisionin “Sport News Plus”, është shprehur rreth temës për trajnerin e Kombëtares shqiptare. Sipas tij, Edi Reja mund të rinovjë kontratën pasi ka meritë në ndryshimin e brezave dhe ka qenë një domosdoshmëri për Kombëtaren.
“Për eksperiencën që ka dhënë, Reja ka qenë një domosdoshmëri për ndryshimin e brezave. Ndryshimi erdhi gradual dhe pa një boom të madh pikësh, se ndryshimi i brezave ka dhe kosto. Erdhëm nga Europiani dhe pjesën më të madhe të lojtarëvë nuk e kemi më.
Janë zëvendësuar dhe vetëm eksperienca e punës së tij e ka bërë që të ishte sa më natyrale duke ruajtur nivelin në renditje dhe duke qenë edhe pretendent në eliminatore.
Unë mendoj që e rëndësishme është që trajneri Reja apo tjetër, të ketë objektivat me këtë grup lojtarësh të talentuar. Atyre tani u mungon vetëm harmonizimi dhe për të dhënë më të mirën nga vetja me ekipin kombëtar. Shohim që me ekipin e tyre luajnë mirë dhe me ekipin kombëtar nuk e shfaqin.
Nuk është çudi të vazhdojë kontrata e Rejas se ka një meritë të jashtëzakonshme në këtë transformim që ka pësuar ekipi. Por ndoshta edhe një mentalitet i ri mund të jetë i nevojshëm”, tha Tafaj.