
Stivi Janku është kthyer në çështje te skuadra e Bylisit. Mbrojtësi nga Delvina nuk bëhet i “gjallë” prej dy muajsh në Ballsh. 23-vjeçari për herë të fundit kur ka qenë i grumbulluar me skuadrën mallakastriotite është më 10 mars në sfidën ndaj Kukësit në transfertë.
Aktivizimi i fundit është më 24 shkurt ndaj Egnatias kur ka luajtur si zëvendësues. Edhe pse mbrojtja e Bylisit “fut ujë” në këtë sezon, përsëri Janku nuk është preferuar nga Naxhi Shensoi për formacionin titullar. Madje mbrojtësi është lënë edhe jashtë grumbullimeve të skuadrës.
Sipas shtypit të shkruar bëhet e ditur se tashmë mes drejtuesve dhe Jankut ka nisur një “luftë e ftohtë”. 23-vjeçarit i përfundon kontrata në qershor dhe në këto kushte lojtari nuk dëshiron rinovimin e saj, gjë e cila nuk iu ka pëlqyer drejtuesve. Në këto kushte këto të fuundit kanë menduar të marrin hak dhe të “sorollatin” Jankun nëpër tribunë.
“Divorci” mes palëve duket i pashmangshëm dhe me t’u mbyllur sezoni lojtari do të ndajë rrugët me ballshiotët. Kujtojmë se Janku u grumbullua nga Edi Reja, me këtë të fundit që i dhuroi edhe debutimin me fanelën kuqezi në miqësoren e fundit.