
Ilir Daja duket se ia njeh mirë aftësitë dhe kudo që shkon ka dëshirë ta ketë nën urdhrat e tij. Koha i ka dhënë të drejtë. Nazmi Gripshi shkëlqen me teknikun kryeqytetas dhe një gjë të tillë e bëri edhe në ndeshjen e mbrëmshme me Slavian e Pragës. Edhe pse takimi përfundoi me rezultatin 3-2 në favor të vendasve, duhet thënë që Ballkani i Dajës shkëlqeu.
Por, ndryshe nga performanca në fushë, ishte në kufijtë e të pabesueshmes ajo që ndodhi gjatë fluturimit për t’u kthyer në Prishtinë. Prezent në avion ka qenë edhe Nazmi Gripshi. Në një prononcim të dhënë për Newsport.al, anësori i Ballkanit ka rrëfyer momentet e vështira se si e mësuan problemin e krisjes së xhamit të pilotit.
“Fillimisht duhet të themi shyqyër që gjithçka përfundoi me aq”, tregon fillimisht Gripshi i cili duket më i relaksuar pas një dite të vështirë. Avioni kishte qëndruar rreth 30 minuta në ajër para uljes emergjente. Lojtarët dhe delegacioni nuk kishin qenë në dijeni. Vetëm 5 minuta para uljes, piloti u kishte bërë me dije se i është dashur të kthehen sërish në Pragë.
“Ne ishim duke udhëtuar. Vetëm 5 minuta para zbritjes, piloti na tha që duhet të bëjmë ulje emergjente për shkak se i ishte krisur xhami përpara. Kur zbritëm, shkuam te kabina e tij dhe pamë atë pamje të frikshme. Fatmirësisht gjithçka u mbyll me aq”, shton më tej Gripshi.
Pritja ka qenë relativisht e gjatë deri në mbërritjen e avionit të radhës. “Në fakt pritëm rreth 6 orë të mira derisa erdhi charteri për të na kthyer në Prishtinë”, përfundoi shkurtimisht për Newsport.al anësori i linjës së Ballkanit.