
Sot janë luajtur ndeshjet e radhës të Kategorisë së Tretë, të vlefshme për Grupin B. Në orën 11:00 ka startuar sfida mes Minatorit të Bulqizës dhe Spartakut të Tiranës, takim që ka përfunduar me rezultatin e thellë 1-7.
Më vonë është zhvilluar sfida e radhës, ku Drini ka pritur në shtëpi skuadrën e Gramozit. Ersekasit kanë qenë të “uritur” duke arritur të shënojnë 4 herë në portën e Drinit. Vlen të veçohet në këtë sfidë, sulmuesi Gledi Rrushi. Shtatshkurtri kryeqytetas ka shkëlqyer duke treguar se po njeh progres në formën e tij. Në minutën e katërt, Rrushi është i pari që zhbllokon rezultatin.
Më tej Behar Balla dyfishon shifrat, ndërsa Xhusti Klosi realizon golin e tretë për Gramozin. Për të vendosur fatin e takimit, mendon sërish Rrushi i cili shënon në minutën e 93-të. Pas kësaj ndeshje, Gramozi gjendet në vendin e tretë me 14 pikë, kurse Drini në të gjashtin me vetëm 1 pikë.
Në 3 ndeshje që është aktivizuar, Rrushi ka arritur të realizojë 4 gola. Një lojtar, prodhim 100 përqind i kryeqytetit. Ka provuar të veshë fanelën e Tiranës te moshat, më tej të Dinamos, për të vijuar në kategoritë inferiore si profesionist.
Tashmë jo vetëm Kategoria e Dytë dhe e Parë duhet të hedhin sytë nga e Treta për të rekrutuar ndonjë element të rëndësishëm, por edhe Superiorja.