
Krahas Gjimshitit në konferencën e zakonshme për shtyp të Kombëtares, ka dalë edhe Taulant Seferi.
Futbollisti i ftuar nga trajneri Edi Reja u shpreh i kënaqur dhe theksoi se priste të grumbullohej me kuqezinjtë. Ai është i gatshëm për të kontribuar për ekipin Kombëtar në çdo pozicion që Reja do të ketë nevojë.
"Më është dukur shumë mirë sepse e kam parë gjithmonë Kombëtaren. Çunat më kanë pritur mirë. Po shoh një pozitivitet në ekip, gjë të cilin dua ta shohim edhe në fushë. E kam pritur ftesën për të ardhur në Kombëtare. Mendoj se jam mirë dhe shpresoj të bëj më të mirën.
E rëndësishme është që jam shumë mirë dhe ndihem mirë. A do të marr minuta apo jo, atë e di trajneri. Në këto dy ndeshjet e fundit nuk kam luajtur sepse kisha një dëmtim të vogël, por tani jam shumë mirë.
Trajneri ka marrë në Kombëtare lojtarët që janë në formë më të mirë. Këto dy ndeshje janë më të mirat për ne dhe ne do të fokusohemi për fitore. Siç e thashë pozitiviteti është prezent. Jemi një grup shumë i mirë lojtarësh këtu.
Nuk është se kemi punuar shumë taktikisht. Unë jam sulmues i qendrës, por s'e kam problem të luaj anash në formacionin 3-5-2. Kudo që të ketë nevojë trajneri do të bëj maksimumin, do të jem i gatshëm", përfundoi ai.