Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

PRECEDENTËT/ Nuk ka shaka me UEFA-n! Si qeveria e futbollit europian spostoi 3 ndeshje të mëdha në 3 vite, rreziku që i kanoset Shqipërisë për finalen e Conference League

Shkruar nga NEWSPORT
PRECEDENTËT/ Nuk ka shaka me UEFA-n! Si qeveria e futbollit europian

"Finalja e Conference League do të zhvillohet në Tiranë", ky ishte lajmi që mori dhenë para dy vitesh, atëherë kur vendi ynë fitoi të drejtën të priste një ndeshje të një niveli të tillë. Jo vetëm 90 minuta në fushë, por e përkthyer 150 milionë euro të ardhura për Shqipërinë. Megjithatë duket se në shtetin tonë të mirës duan t'i bien me shkelm. Ndërhyrja e politikës në futboll tashmë është fakt që s'mund të zhbëhet dhe kësisoj Shqipëria si vend organizator rrezikon seriozisht të humbasë këtë finale të madhe, e para në histori për llojin e saj.

E ndërsa qeveritarëve në vend i duket e lehtë me institucionin e futbollit shqiptar, e njëjta gjë s'mund të çohet në mendje për atë ndërkombëtar apo europian, si FIFA dhe UEFA. Precedentët në 3 vitet e fundit kanë treguar se sa e lehtë është për ata të spostojnë apo t'i "dhurojnë" një finale futbolli një shteti tjetër, në rastet kur nuk zbatohen me përpikmëri rregullat e shkruara në statutin e tyre. Vlen të përmendim rastin më të freskët të ndodhur para disa javësh për një finale të madhe siç është ajo e Champions League.

"Ajo do të luhet në Paris, në datën 28 maj, në “Stade de France”, ka bërë të ditur zyrtarisht UEFA në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit Ekzekutiv. Vendimi për të zhvendosur finalen nga “Gazprom Arena” në Shën Petersburg, është pasojë e ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë. Për të tretin vit radhazi, finalja e Champions League ndryshon vendndodhjen: në vitin 2020 do të luhej në Stamboll, por për arsye të pandemisë, ajo u zhvendos për në Portugali, në Lisbonë. Vitin e kaluar, përsëri për shkak të Covid-19, nuk u zhvillua në Stamboll, por kaloi sërish në Portugali, por në Oporto. Këtë vit finalja e Champions League do të jetë në dorën e Francës, që të zëvendësojë Rusinë.

E siç shihet, UEFA s'e ka aspak të vështirë të spostojë dhe finalen e Conference League. Në 3 vite, janë ndryshuar stadiumet për 3 finale të ndryshme. Nëse diçka e tillë ndodh sërish edhe për këtë të Conference League e planifikuar të zhvillohet në stadiumin "Air Albania" në datën 25 maj, ora 21:00, padyshim që do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm për futbollin, por edhe për ne si komb. "Mos luaj me zjarrin", ndoshta këtë duhet ta kenë parasysh ata që po tentojnë të ndërhyjnë në këtë ishull ende të virgjër.

E teksa Federata Shqiptare e Futbollit po punon maksimalisht për të nderuar shqiptarët anëembanë botës duke gjetur gjuhën e duhur me qeverinë, në institucionin e futbollit europian kanë nisur të mendojnë seriozisht për stadiumin që mund të presë finale e Conference League. "Red Bull Arena" i Salzburgut dhe impianti i Vienës "Ernst-Happel-Stadion" janë dy stadiume që mund të fitojnë të drejtën e kësaj ndeshje. Në FSHF janë të bindur se diçka e tillë s'do të ndodhë duke shprehur besimin e tyre se kryeministri Edi Rama do ta mbajë fjalën e dhënë. "Deal"-i i arritur me presidentin Ceferin, për mospërfshirjen e politikës në futboll, padyshim që nuk do të thyhet. E për më tepër, historia ndër vite ka treguar që shqiptarët shquhen për besën e dhënë.

Në të kundërt pasojat, do t'i vuajmë të gjithë ne që kemi zgjedhur të jetojmë në këtë vend. 150 milionë euro të ardhura janë jashtëzakonisht shumë për një vend të vogël si i yni. E t'i biesh të mirës me shkelm, është vërtetë e dhimbshme. Rastet e mësipërme tregojnë se UEFA nuk pyet sa kohë larg finales je. Nëse s'e meriton, nëse nuk zbaton pikat e statutit të saj përjashtohesh automatikisht. Të gjithë u gëzuam që fituam të drejtën e një finaleje të tillë falë lobimit të jashtëzakonshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit. Tanimë të gjithë kanë nisur të turren për një biletë, madje dhe ata që ishin në shesh për Malumën. Shpresojmë që qeveria të veprojë në çastin e duhur, sa nuk është vonë që atyre koncertdashësve, buzëqeshja t'u ngrijë në fytyrë. /Newsport.al/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga