
Kategoria
Superiore është gati për të rinisur dy fazat e mbetura dhe ekipet janë vendosur
sërish në qytetet e tyre për të bërë përgatitjet e fundit. Teksa një sy është në
merkato dhe tjetri në stërvitje, situata nuk është shumë e qetë tek Vllaznia.
Siç raportohet nga mediat lokale në Shkodër në seancën e parë stërvitore ka
patur ngritje zërash. Futbollisti i cili ka folur për pagat e padhëna është
shtatlarti i mbrojtjes Renato Malota. Mësohet se Malota i është "shfryrë"
trajnerit Jonuz se janë bërë dy muaj pa u paguar dhe janari ishte i treti. Në
një situatë të tillë jo normale nuk mund të presin gjithmonë. Në fund Malota ka
deklaruar se nëse nuk paguhet atëherë do të largohej nga Vllaznia.
Problemet e pagave janë duke u kthyer në problem për shumë skuadra të Superiores. Teksa problemet kanë qenë tek Flamurtari e Luftëtari që në fillim. Gjatë disa javëve një situatë e ngjashme plasi tek Skënderbeu ku futbollistët nuk dolën në stërvitje e ndërsa tani është prekur dhe ekipi i Vllaznisë. Përtej problemeve dhe vonesave të vogla me pagat. Situata të tilla mund të jenë kambana alarmi për një kaos financiar në Superiore.