
Situata në kampin korçar duket se nuk është aq e qetë sa thuhet pasi zbulohet se ka ngërç sa i pëket rinovimeve dhe afrimeve. Presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj ka thënë fjalën e fundit në momentin që ka prezantuar Orges Shehin si trajner për sezonin e ri. Fjala e "numrit 1" të klubit ishte e prerë: "Të qëndrojë kush dëshiron, të tjerët të largohen".
Mësohet se disa prej "veteranëve" të Skënderbeut, si Vangjeli, Muzaka, Mici dhe Osmani ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfunimtare lidhur me të ardhmen e tyre nisur nga fakti që iu ka përfunduar kontrata me këtë skuadër. Dje ishte afati i fundit lidhur me këtë gjë, por përgjigja nuk ka arrdhur.
"Veteranëve" iu është mbyllur goja nga kushtet e reja të kontratës. Këtyre të fundit iu është ofruar një kontratë me kushte të reja, ku në sy bie përgjysmimi i pagës, gjë që ka sjellë dhe ngërçin, detaj që pritet të zbulohet në orët e ardhshme.
Një tjetër çështje që ka lindur orët e fundit në kampin korçar ka të bëjë me sulmuesin nigerian, Oto John. Edhe pse ky i fundit u tha se do t'iu bashkohej korçarëve, duket se kjo gjë nuk do të ndodhë. Te rejat e fundit zbulojnë se sulmuesi nigerian ka dëshirë të luajë me skuadrën e Dritës në Kosovë. Nuk dihet ende se si do përfundojë kjo histori, por ajo që me siguri është kuptuar nga të gjithë është fakti që CAS-i ka trazuar jo pak ujërat te Skënderbeu edhe pse drejtuesit e klubit kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë.