
Armand Duka është rizgjedhur për herë të dytë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit mori 45 vota nga 55 shtete anëtare duke lënë pas të gjithë kandidatët. Pjesë e delegacionit në këto punime të Asamblesë së UEFA-s ishte edhe Anila Basha.
Kryetarja e futbollit për vajza në Shqipëri, gjithashtu anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, tregoi se si do të ndikojë kjo rizgjedhje për zhvillimin dhe promovimin e futbollit jo vetëm në vend, por në të gjithë Ballkanin. Në një lidhje “Skype” me gazetaren Beti Njuma, Anila Basha u shpreh:
“Për ne të gjithë që kemi punuar në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe jemi angazhuar gjithë vitin me projekte dhe programe konkrete, angazhimi i presidentit Armand Duka në Komitetin Ekzekutiv ka qenë një vlerë e shtuar. Ka qenë një ndihmesë shumë e madhe në dhënien e mesazheve të qarta apo në mënyrën se si funksionojnë gjërat. Një zë i jashtëzakonshëm për zhvillimet në rajonin tonë. Ishte punuar shumë, por zgjedhja e djeshme me 45 vota nga 55 shtete anëtare tregon për mbështetjen e madhe që personalisht zoti Duka ka mes anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, mes shteteve anëtare dhe mbi të gjitha, mbi mënyrën se si është punuar në këtë 4 vjeçar që ka kaluar. Kontributi i Shqipërisë ka qenë i madh, i domosdoshëm në disa raste. Vitin e shkuar u prezantuam me ndeshjen e madhe mes Feynoord dhe Romës. Rezultati i saj në mënyrën organizative tregoi se Shqipëria e vogël me kapacitetet e veta ka mundësi të bëjë më shumë. Këtë vit Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur të marrë 10 turne ndërkombëtare që ia ka besuar organizimin pikërisht FSHF-së. Në këtë mënyrë pra kemi se çfarë i japim dhe komunitetit evropian të futbollit. Besoj se përgjigja e 45 vendeve ishte shumë e qartë. Ka shumë vende të fuqishme potente, qoftë Franca, Gjeorgjia, Ukraina që kanë mbetur më pas. Zoti Duka mori 45 vota.
Politika? Është një patete e nxehtë në diskutimet dhe në takimet që fliten këtu në UEFA. Unë mendoj që tani kjo është tejkaluar tashmë. Rajoni ynë dihet dhe e kemi prekur se nuk i shmang dot ballkanizmat e vogla. Rastin më të freskët e kemi nga Kosova. Mandati 4 vjeçar i nisur në marsin e vitit të shkuar, pavarësisht ngërçit të vogël që kemi pasur, janë tejkaluar. Nuk besoj se do të ketë më shkopinj nën rrota. Ne i njohim përgjegjësitë tona. Ne i njohim detyrimet tona se ku bashkohen angazhimi politik. Ne e shohim qeverinë shqiptare si partner për zhvillimin e sportit. Shqipëria është angazhuar për të marrë kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare. Do të jetë përgjegjësi e madhe.
EURO 2024? Deri tani folëm për anën administrative se çfarë po bëjmë. Tani po përfshihemi në anën sportive. Do t’ia lë Shulkut të flasë për këtë çështje sepse është më detajist në këtë çështjen teknike. Nga ana e Komitetit Ekzekutiv ku unë jam anëtare janë marrë të gjitha masat apo kemi kryer të gjitha detyrat, të gjitha obligimet. Kemi gjetur stafet e duhura, njerëzit e duhur”, përfundoi ajo.