
Bylisi do të luajë të dielën një sfidë direkte për mbijetesën ndaj Kastriotit. Ballshiotët përballë ekipit të tyre do të kërkojnë tre pikët që vlejnë shumë për qëndrimin në Superiore. Naxhi Shensoi për këtë takim do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët.
Lajm i mirë është rikthimi i Eskuerdinhës pas pezullimit me karton dhe i Damcesvskit i cili pësoi një tërheqje ndeshjen e fundit. Bylisi vuan shumë gjetjen e golit, pasi në 4 ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm 2 herë. Skuadra ka barazuar 3 ndeshje dhe ka humbur 1.
Ndaj Kastrioti kërkohet zhbllokimi i ekipit . Për këtë tekniku Shensoi ka punuar shumë dhe në planin psikologjik me skuadrën për të gjetur rrugën e golit. Gjithashtu në seancat e fundit stërvitore ka patur dhe një numër të lartë tifozësh që kanë ndjekur nga afër ekipin për t’i dhënë zemër.