
Humbja ndaj Lushnjes ka lënë shije të hidhur në kampin verilindor dhe mbi të gjitha te kreu i klubit, Safet Gjici, i cili nuk justifikon për asnjë motiv humbjen ndaj lagunarëve, duke i vënë fajin merkatos së verës për ecurinë e deritanishme të Kukësit në kampionat.
Në një prononcim për "SuperSport", Gjici ka folur gjatë për këtë detaj dhe shumë të tjera, duke zbuluar ndër të tjera se Kukësi nuk ka hequr dhe nuk do të heqë dorë nga titulli, duke lënë mënjanë trajnerin Mladen Milinkoviç si të pafajshëm dhe "akuzuar" menaxherin e klubit dhe stafin teknik për merkaton e verës.
"Humbja ndaj Lushnjes ishte e pajustifikueshme, nuk ishte kurrsesi e hijshme. Fjala turp është pak, në kuptimin që nuk e prisnim kurrë. Skuadra ka vlerësuar Lushnjen, duke qenë në fundin e tabelës, por ne kemi pasur probleme edhe vitet e tjera me skuadrat e renditura në fundin e tabelës. Konkurenca është e fortë në kampionat. Që në fillim ne ndërtuam një ekip për të mbrojtur titullin, por me kalimin e kohës patëm probleme me dëmtimet. Shameti, Hallaçi, Musolli, që ishin boshti i ekipit shfaqën probleme. Morëm një shkatërrues nga Mali i Zi me shpresën se do jepte diçka në fushë dhe ashtu ndodhi, por vetëm 2-3 ndeshje, më pas ra. Kuptohet që është merkato e dështuar ajo e verës dhe për këtë fajtor janë menaxheri i klubit dhe stafi teknik", ëhtë shprehur Gjici lidhur me ecurinë e Kukësit deri tani.
I pytur për trajnerin Milinkoivç, ai është shprehur: "Deri tani unë jam shquar për heqje trajnerësh. Të gjitha mediat kanë shkruar dhe folur se unë kam qenë ai që ka hequr trajnerë një herë në 2-3 muaj. Jemi dëshmitarë për këtë. Ne gjetëm një trajner profesionist, e dimë që është i huaj por ka dhënë shumë për futbollin shqiptar. Mori një ekip në Gjirokastër që e çoi atje ku e çoi, me elementë të mbledhur nga kampionati shqiptar dhe ai i huaj dhe bëri një ekip që bënte një lojë të mirë. Besoj se ky trajner është i nderëshëm dhe i thotë gjërat ashtu siç janë, nuk mashtron dhe mban përgjegjësi për gabimet që bën. Unë i kam dhënë shanse jo pak herë, madje dhe ai më ka kërkuar dorëheqjen 2-3 herë, por nuk e kam pranuar. Këtë trajner nuk e lëshoj kollaj, nuk e largoj, pasi mendoj se nuk është faji i trajnerit është faji merkatos së dështuar që bëmë në verë edhe pse investimet ishin dyfish i atyre të një viti më parë, por skuadra nuk është e njëjtë".
Lidhur me garën për titull, Gjici është shprehur: "Nuk heqim dorë nga gara për titull. Edhe Partizani ishte largë por tani është afruar më shumë drejt kreut. Unë mendoj që me një ndërhyrje të mirë në merkaton e janarit do të bëjmë një ekip të mirë".