Partizani i kohëve të fundit është një klub, ku çështjet e nxehta janë gjithmonë të pranishme. Madje, ato mbijnë edhe atëherë kur gjithçka është e qetë dhe skuadra ecën mirë. Presidenti Gaz Demi nuk përzihet shumë në këtë drejtim, për të mos thënë asnjëherë, por debatet i krijon më tepër administrata e tij dhe futbollistët. Kujtojmë duelin e sezonit të kaluar jo vetëm në heshtje mes Sulejman Starovës dhe Dritan Dervishit, tashmë të larguar për te Kukësi. Por edhe aktualisht janë disa çështje të hapura me disa futbollistë dhe një tjetër duket se do të shpërthejë nga momenti nnë moment.
FEJZULLAHU – Me Partizanin është i federuar, por në ndeshjen me Slovan Bratislavën nuk luajti dhe nuk ishte i pranishëm në stol dhe në stadium. Vetë lojtari pohon se i ka përfunduar kontrata më te kuqtë, kurse klubi insiston se ai ka edhe një vit kontratë. Çështja po shkon drejt gjyqit, pasi Fejzullahu ka ngarkuar avokatin e tij për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Të kuqtë duken të vendosur për të mos e lënë të lirë, sepse dëshira e kosovarit është për të kaluar te Skënderbeu.
MAZREKAJ – Me këtë futbollist ka pasur shpesh polemika edhe për shkak të sjelljes së tij. Mazrekaj është i federuar me Partizanin, por edhe ai nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e djeshme me Slovanin. Situatë e paqartë, që e ka zanafillën nga sezoni i kaluar, kur trajneri Agostineli nuk e preferonte titullar.
SUKAJ – Çështja më e freskët është ajo e sulmuesit Xhevahir Sukaj, që fillimish u prezantua nga drejtuesit e kuq si blerje, por dje ai konfimoi largimin për në Malejzi. U tha se në mes ishte çështje lekësh, ndërsa futbollisti deklaron së fundi se nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit të Partizanit. Hajde merre vesh të vërtetën....
ATANDA - Një gjë është e sigurt, te të kuqtë nuk ka asnjëherë qetësi dhe një tjetër çështje është gati të shpërthejë, ajo e mbrojtësit Atanda, i cili e nisi nga stoli ndeshjen e fundit dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer.