
Partizani ka nisur përgatitjet për ndeshjen e kthimit ndaj BATE Borisov, të martën e ardhshme në orën 18:30 në Hungari. Të kuqtë zbritën në fushë mbrëmjen e djeshme dhe nën drejtimin e trajnerit Zoran Zekic zhvilluan seancën e parë. Ashtu siç ka kërkuar edhe kroati, skuadra është stërvitur në fushë me bar natyral dhe drejtuesit zgjodhën Kompleksin Sportiv në Kamzë.
Grupi është në formën optimale dhe asnjë lojtarë nuk mungoi pavarësisht se disa shfaqën shqetësime në ndeshjen e ‘Air Albanias’. Nëse mund ta quajmë mungesë, mund të themi për Bruno Telushin i cili u largua nga ekipi pas problemeve me trajnerin.
Partizanit, mbrëmë, iu bashkua edhe një sulmues. Archange Bintsouka u rikthye pasi përfundoi huazimin te Drenica në Kosovë. 20-vjeçari nga Congo zhvilloi një sezon mjaft të mirë në Kosovë ku shënoi 7 gola e 1 asist në 29 ndeshje dhe do të jetë nën vëzhgim të stafit këtë sezon.