
Derbi i kryeqytetit ka marrë vëmendjen e gjithë sportdashësve anë e mbanë Shqipërisë. Nesër, në orën 19:00, Partizani dhe Tirana zbresin në fushën e “Air Albania”-s për të dhënë verdiktin përfundimtar. Juxhin Xhaja është projektuar për të vendosur drejtësi në këtë derbi të parë të elitës.
Burime të besueshme pranë Sektorit të Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit tregojnë se arbitri i kolegjiumit të Tiranës është në “pole-position”. Megjithatë njoftimi zyrtar për gjyqtarët do të mbërrijë nga Federata Shqiptare e Futbollit në mbrëmjen e sotme.
Kujtojmë që me Juxhin Xhajën, Partizani nuk ka kujtime të bukura. 5-1 i famshëm, në të njëjtin stadium u drejtua pikërish nga gjyqtari kryeqytetas. Asokohe drejtuesit e kuq patën kontestime për mënyrën se si ai vendosi drejtësi në atë takim.
Mirëpo stema e FIFA-s dhe niveli i treguar i Xhajës, duket të ketë lënë gjithçka pas dhe të jetë sërish i gatshëm për të njëjtën ndeshje, ku spektakli veçanërisht në tribunë është i garantuar. /Newsport.al/