Partizani po punon në të gjitha frontet. Të kuqtë kanë kaluar një verë mjaft të zhurmshme ku fokusi kryesor, pavarësisht merkatos, është gara europiane. ‘Demat’ janë me një këmbë në fazën Play-Off të Conference League dhe u mjafton vetëm një barazim ditën e sotme për të siguruar këtë objektiv.
Megjithatë, kjo i mbetet stafit teknik dhe lojtarëve ndërsa drejtuesit po vijojnë punën për të forcuar dhe konsoliduar skuadrën e trajnerit Zoran Zekic. Ndërhyrje në çdo repart dhe tani kanë mbetur vetëm ‘prekjet’ e fundit. Prapavija është sektori më problematik për Partizanin.
Largimi i Telushit dhe Bitrit kanë lënë një boshllëk të madh dhe afrimi i Kocijan nuk mjafton. Në këtë mënyrë drejtuesit u vunë në kërkim të një zëvëndësuesi të denjë. Pasi arritën akordin me Mauro Osores, mësohet nga ‘SuperSport’ se të kuqtë kanë mbyllur gjithçka edhe për Altin Bytyçin.
[caption id="attachment_703610" align="alignnone" width="442"] Altin Bytyci, ©Kukesi[/caption]
Talenti 22-vjeçar i Kukësit rinovoi kontratën në qershor por ka gjetur gjuhën e përbashkët me verilindorët për ta prishur këtë marrëveshje. Qendërmbrojtësi që luajti 90 ndeshje me Kukësin në të gjitha kompeticionet duke shënuar edhe 2 gola, do të bashkohet së shpejti me pjesën tjetër të lojtarëve dhe pritet të jetë gati për ‘Play Off’ nëse Partizani ia del të kualifikohet sot.