
Partizani ndodhet në Antalia ku po zhvillon një minifazë përgatitore para rinisjes të pjesës tjetër të sezonit. Gjatë kësaj periudhe të kuqtë kanë planifikuar dhe ndeshje miqësore në mënyrë që trajneri Giovanni Colella të shohë gjendjen e lojtarëve në dispozicion.
Por, ajo që bie në sy është kundërshtari i përzgjedhur nga kryeqytetasit. Në testin e parë të luajtur para dy ditësh, Partizani u mposht 3-1 nga Nasaji Mazandaran, ekip që militon në kampionatin iranian. Pikërisht para 3 muajsh, kryeministri Edi Rama përzuri nga territori shqiptar Ambasadën Iraniane, duke e cilësuar si organizatë me qëllime terroriste.
E në një kohë kur i pari i qeverisë pretendon të ruajë vendin në këtë mënyrë, nga ana tjetër, i vëllai, Olsi Rama që është drejtor i përgjithshëm i Partizanit, zhvillon takime miqësore me ta. Brenda një familje, me sa duket nuk e kanë zgjidhur ende kush ka të drejtë. Megjithatë në futboll, janë iranianët ata që dolën të qeshur nga kjo përballje me nota “miqësore”.