Andi Hadroji do të jetë në fushë kundër Tiranës. Një nga mbrojtësit e linjës më në formë të Superiores u dëmtua kundër Kukësit duke lënë fushën i dëmtuar. Fillimisht pati panik në radhët e të kuqve për mënyrën se si anësori u detyrua të dilte.
Por, nga kampi kryeqytetas bëhet me dije se gjithçka ka kaluar dhe ai pritet ta nisë nga minuta e parë derbin me Tiranën. Ngarkesa e madhe muskulare ka sjellë një kontraktim për mbrojtësin, por për fatin e mirë asgjë serioze. Ditën e parë është stërvitur veçmas me vrapime të lehta, ndërsa së fundmi ka nisur të marrë ngarkesën e plotë me ekipin.
Një lajm i mirë ky për 16 herë kampionët e Shqipërisë, por jo për Tiranën që do të ketë kundër një futbollist që mund t'i hapë shumë punë në krah. Forma e mirë që po kalon bëri që të katapultohej edhe në Kombëtaren e trajnerit Edy Reja.