Klubi vlonjat ka hapur gjyq ndaj ish-trajnerit të skuadrës së Flamurtarit, Ernest Gjoka që aktualisht drejton skuadrën e Vllaznisë. Ekipi vlonjat kërkon plot 100 milionë lekë të vjetër nga Gjoka duke e akuzuar këtë të fundit për evazion fiskal, falsifikim dokumentesh dhe abuzim me detyrën.
Kjo padi ndaj trajnerit aktual të Vllaznisë vjen për shkak se gjatë kohës që Gjoka ka drejtuar Flamurtarin, 2012-2014 ka pasur probleme me kontratën e punës. Pasi është larguan nga panikna, ai ka fituar një gjyq ndaj klubit vlonjat, nga i cili ka përfituar 45 mijë euro për të cilat Flamurtarit iu zbritën edhe tre pikë. Kjo gjë i përket periudhës kur klubi administrohej nga bashkia.
Ndërkohë që administratorët aktualë e cilësojnë si të padrejtë këtë gjë, madje të jashtëligjshme kontratën e ish-teknikut të ekipit vlonjat. Së fundmi, klubi i Flamurtarit kërkon 100 milionë lekë të vjetër dëmshpërblim për këtë gjë. Madje ka qenë administratori, Sinan Idrizi që ka denoncuar pak kohë më parë dy kontratat e Gjokës, për shkak se në tatime figuronte me rrogë 1 milionë lekë të vjetër, ndërsa në FSHF rezultonte që kishte një kontratë ku shuma ishte shumë herë më e lartë.
Në këto kushte, klubi i Flamurtarit do të hapë gjyq civil ndaj Gjokës dhe ish-drejtuesve.