Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Notat e supersfidës / Bindin Ekuban dhe Koliçi, Ramadani dhe Mazrekaj tek dështimet

Shkruar nga NEWSPORT
Notat e supersfidës / Bindin Ekuban dhe Koliçi, Ramadani dhe

U luajt mbrëmjen e djeshme supersfida midis Partizani dhe Kukësit që përfundoj në barazim 1-1. Në këtë takim spikatën Ekuban dhe portjeri Koliçi, ndërsa paraqitja e Mazrekajt dhe Ramadanit la për të dëshiruar.

Ja analiza e të gjithë lojtarëvesipas panoramës.

PARTIZANI   

HOXHA 5 - Ka shumë pak punë në këtë ndeshje dhe, në të vetmin rast që Kukësi shënoi golin, ndoshta mund të kishte bërë diçka më mirë, por nuk mund të fajësohet.

FEJZULLAHU 6 -Jep asistin e golit që mban gjallë Partizanin, por është i pavëmendshëm te goli i shënuar nga Kukësi. Çështje refleksesh dhe përqendrimi… Nëse do ta kishte larguar atë top, mund të kishim folur për një tjetër rezultat.

MALOTA 6 - Solid. Fiton praktikisht të gjitha duelet me Pejiçin dhe organizon mirë prapavijën. I ashpër dhe i përqendruar maksimalisht. Një shtyllë në mbrojtjen e kuqe.

ATANDA 5 - Ndeshje në tërësi mbi mesataren, por humbi duelin në ajër me Shametin në rastin e golit të Kukësit që, më pas, i komplikoi jetën Partizanit. Ofron siguri në nisjen e topit të parë dhe ruan qetësinë kur prapavija është në panik.

TRASHI 5 - Me hatër. Ndër të paktat raste kur nuk arrin të lërë thuajse asnjë gjurmë. Konfuz në mbrojtje dhe po kaq në sulm. Gabon në pasimet e gjata dhe nuk merr asnjëherë krahun si duhet. Një mbrëmje për t’u harruar.

RAMADANI 4,5 - I ngathët dhe i trembur. Vuan pa masë presionin e ndeshjes dhe është shumë i lexueshëm në lëvizjet që bën. Nuk i kupton kurrë situatat kur i vijnë kundërshtarët pas shpine. I drejtë zëvendësimi pas pjesës së parë.

(Nga min 46′, Mazrekaj 4,5 – Dakord, djaloshi nga Prishtina ka probleme fizike prej kohësh, por nëse nuk është në gjendje të mos luajë, atëherë më mirë të mos futet në fushë. Dy gjuajtje nga distanca dhe vetëm kaq. As mbron, as lufton dhe pothuajse nuk ekziston në fushë. Hije e vetvetes).

BATHA 6,5 - Gjenerali i mesfushës. Është në formë dhe duket qartë. Lufton sa për dy, krijon hapësira, shërben dhe nuk dorëzohet deri në fund. Një pikë referimi në repartin qendror që ka nisur të dridhet prej kohësh.

VILA 5,5 - Ndeshje me dy fytyra. Nuk shërben kur ka mundësinë ta bëjë dhe, më pas, sakrifikon thuajse për të gjithë. Merr një të verdhë të panevojshëm shumë shpejt, por gjithsesi ia del të korrigjojë shumë gjëra në pjesën e dytë kur i kërkohet vetëm të kryejë rolin e shkatërruesit.

CETKOVIÇ 6 - Ndeshje e mirë për malazezin si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë ndërtuese. Gjuan nga larg, shërben dhe krijon hapësira. Shpeshherë mbulon gabimet e Ramadanit.

TORASA 6 - E nis ndeshjen dobët duke mos qenë fare i përqendruar për 20 minuta. Merr një të verdhë naiv, por në pjesën e dytë është më kërkues dhe i afrohet më shumë portës. Vuan mungesën e një qendërsulmuesi të mirëfilltë.

(Nga min 84′, Sukaj – Pa notë. Shumë pak minuta në fushë…).

EKUBAN 7,5 - Ndihmon në golin që i jep zemër Partizanit dhe lufton shumë, çmendurisht shumë… Nuk shërbehet thuajse asnjëherë si duhet dhe, megjithëse dha shenjat se duhej një qendërsulmues në zonë, asnjë nuk e kuptoi. I jashtëzakonshëm.

TRAJNERI STAROVA 5 - Skuadra e tij pëson shpesh nga goditjet standarde dhe ky është një problem i madh. Më pas fut Mazrekajn që ishte një zhgënjim i thellë dhe mban çuditërisht Sukajn në stol deri në minutën e 82- të, teksa ekipi i tij vuante vetëm për një njeri që ta çonte topin në rrjetë. Partizani luan shumë mirë, por duhet edhe pak guxim për të fituar…

KUKËSI

KOLIÇI 7 - I shkëlqyer. Eviton të paktën dy gola të sigurt dhe bën repart i vetëm. Me siguri Kukësi nuk do ishte në krye nëse nuk do kish një si ai në portë.

HALLAÇI 5,5 - Ndeshje sakrificash për kapitenin. Nuk bën asgjë të jashtëzakonshme, por as nuk gabon. Neutralizon pa probleme Trashin dhe mjaftohet vetëm duke mbrojtur mirë.

SHAMETI 6 - I pazëvendësueshëm te Kukësi. “Gatuan” golin e Dvornekoviçit me atë kërcim të fuqishëm dhe më pas përpiqet të frenojë Ekubanin edhe duke i dhënë disa shkelma. I pafat tek autogoli, sepse Alla duhej ta kish lexuar më mirë pasimin e Fejzullahut. Ekspert.

ALLA 5 - Merr të verdhë që në pjesën e parë, por gjithsesi nuk dorëzohet. Luan kujdesshëm edhe pse Ekuban është i rrezikshëm. I fortë në luftën në ajër, por duhet të përmirësohet në aspektin teknik.

IMAMI 5 - Mendon vetëm të mbrojë dhe jo gjithnjë ia del, sepse Torasa me Fejzullahun e bëjnë të vuajë shumë. Por kjo edhe sepse Dvornekoviç dhe Kale nuk sakrifikojnë sa duhet.

MUSOLLI 5,5 - Lufton sa për dy në mesfushë dhe nuk i duket shumë puna sepse shpeshherë shndërrohet në një qendërmbrojtës për shkak të skemës tejet defensive të Kukësit. Gjithsesi nuk bën asnjë gabim.

LENA 5 - Asgjë për t’u mbajtur mend nga repertori i tij, sepse ia lyp nevoja që më shumë të mbrojë sesa të organizojë lojën.

KARIOKA 5 - Të shohësh një brazilian me tiparet e tij që kujdeset vetëm të mbrojë, kupton më së miri se pse Kukësi nuk humb, ose pse e ka kaq të vështirë edhe të fitojë. I sakrifikuar.

DVORNEKOVIÇ 6,5 - Shënon një gol disi me fat, por i jep Kukësit një bonus të madh psikologjik. Më pas zhduket në mesfushë duke kërkuar të shkatërrojë aksione. E kreu misionin e tij gjithsesi.

(Nga min 65′ Kale 5  Krijon vetëm një gjysmë rasti në pjesën e dytë, por ndoshta duhej pak më shumë guxim për të gjetur golin).

EMINI 5,5 - Shumë larg portës, por nxori praktikisht jashtë loje Ramadanin dhe ndihmoi skuadrën që të vuante më pak nga presioni i të kuqve. Sa për fazën sulmuese, asgjë për t’u shënuar.

(Nga min 73′ Guri – pa notë).

PEJIÇ 5,5 - Me hatër ndoshta. Mban i vetëm nën presion mbrojtjen e Partizanit dhe bëri mur të rrezikshëm për Eminin në pjesën e parë, por vetëm kaq. Kreu si duhet detyrën duke mos e lejuar Partizanin që të zhvendosej me të gjitha forcat drejt zonës kuksiane.

TRAJNERI GJOKA 5.5 - Kukësi merr 1 pikë të artë dhe kjo ndoshta e shpëton trajnerin. Por, pas një goli me fat, ekipin e nderon më së shumti portieri dhe skuadra qartazi nuk ka fare plan “B”. Zëvendësimet nuk sjellin asnjë risi dhe nuk shfrytëzohen asnjëherë hapësirat e mëdha që lë Partizani pas. Ndoshta me pak zgjuarsi dhe guxim kjo ndeshje mund edhe të ishte fituar nëse Kukësi do të dinte të godiste në kohën dhe mënyrën e duhur.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga