
Sfida Teuta-Vllaznia (3-1) ka qenë e fundit për javën e 22-të në Kategorinë Superiore. Në këtë javë nuk munguan rezultatet surprizë dhe duket se pas kaq kohësh në Kategorisë Superiore do flitet vetëm për futbollin në fushën e lojës dhe jo për arbitrat të cilët prej javësh kanë qenë kryefjala pas çdo ndeshje.
Në ndeshjet e zhvilluara këtë javë, arbitrat ishin të "padukshëm" në fushën e lojës dhe pothuajse për asnjë moment nuk u bën objekt diskutimi. Rast i vetëm që pati diskutim ishte në sfidën Tirana-Skënderbeu (1-1) tek goli i parë i Cales, ku arbitri Kridens Meta sinjalizoi më parë për prekje të topit me dorë nga ana e Ngoosë. Një rast mjaft i vështirë për tu vendosur në të 100-tat e sekondit nga arbitri dhe më mirë do ta zgjidhte vetëm teknologjia VAR.
Në një kohë kur u vendos në pikëpyetje aftësia e arbitrave këtë javë përgjigjen më të mirë e dhanë gjyqtarët me stemën e FIFA-s. Enea Jorgji dhe Juxhin Xhaja mund ta themi se kanë shkëlqyer në ndeshjet e tyre. Konkretisht, Enea Jorgji kishte në dorë sfidën e nxehtë mes Bylisit dhe Kukësi, ku përveçse ritmit të lojës që duhet të ndiqte arbitri, Jorgji gjithashtu vuante dhe presionin e një gabimi në Ballsh. Kjo për faktin se Bylis është nga klubet më të "dënuara" nga vendimet e arbitrave dhe shpesh herë zyrtar të klubit kanë kërcënuar me largim nga gara dhe vetëgjyqësi.
Gjithashtu dhe Juxhin Xhaja i rikthyer në fushën e blertë për asnjë moment nuk shkaktoi diskutime në sfidën mes Laçit dhe Partizanit. Xhaja "nuk dukej" në fushën e blertë me vendimet e tij duke lënë lojën të luftohej dhe nxjerr vetëm 3 kartona të verdhë nga xhepi i tij, kjo vetëm në pjesën e dytë për të ulur dhe tensionin që krijohej në fushë.
Xhaja dhe Jorgji janë dy emra të cilët më parë janë akuzuar shpesh, por me paraqitjet e bëra këtë javë mund të themi se kur gjithçka vendoset në dyshim, gjyqtarët me stemën e FIFA-s mund të bëjnë diferencën dhe të sjellin normalitetin përsa i përket akuzave ndaj tyre. //NEWSPORT.AL//