
Tirana u kualifikua në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë teksa mposhti Korabin me rezultatin e pastër 3-0 në ‘Selman Stërmasi’. Bardheblutë nuk e diskutuan për asnjë moment kualifikimin duke shënuar në të dyja pjesët e lojës.
Julian Ahmataj e shprehu lumturinë e kualifikimit pas ndeshjes, ndërsa merr 3 sinjale pozitive nga ky takim. I pari është rikthimi i kapitenit Filip Najdovski i cili la pas dëmtimin e pësuar dhe u inkuadrua në fushën e lojës në minutën e 69’.
I dyti mund të quhet Melsi Cereni i cili debutoi për herë të parë ndaj Teutës e sot e kishte të dytën me fanellën bardheblu. Një djalosh nga akademia e Tiranës që afrohet në ekipin e parë në një moment delikat ku nuk ka asnjë 9-sh në ekip. Talenti 19-vjeçar është golashënuesi kryesor i viteve të fundit në akademinë bardheblu teksa ka tundur 30 herë rrjetën. Drejtuesit kanë hyrë në merkato për blerjen e një sulmuesi ‘pykë’, por nuk do të ishte e gabuar të hidheshin sytë nga akademia e cila s’e ka ‘tradhëtuar’ asnjëherë.
I fundit, por jo nga rëndësia është konfirmimi i Liridon Latifit. Sulmuesi gjen golin e 4-të rradhazi në 3 ndeshjet e fundit ku ka luajtur. Me shitjen e Florent Hasanit dhe Kaina Nunes, pesha e golave bie mbi dardanin dhe Kristal Abazajn dhe të dy duket se janë ‘zgjuar’ duke gjetur rregullisht rrugën e rrjetës në ndeshjet e fundit.
Tirana tani do të fokusohet te Skënderbeu, me të cilët do të luajë ndeshjen e javës së 21-të të Superiores. Fitorja është kusht dhe bardheblutë do të rikthehen të luajnë në ‘Air Albania’ të dielën në orën 17:00.