
Arinaldo Rrapaj është një nga lojtarët më të mirë të Partizanit në këtë sezon. Mesfushori ishte një nga afrimet dhe dëshirat e Ilir Dajës në merkaton e verës, ndërsa klubi i kuq pagoi 10 mijë euro për të marrë nga Skënderbeu. 20-vjeçari ka luajtur në 38 ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet dhe ka arritur të shënojë 5 gola e një asist dhe tashmë ka oferta nga jashtë Shqipërisë.
Shtypi i shkruar bën me dije se në derbin që do të luhet nesër ndaj Tiranës, në stadium do të jenë skautë nga një skuadër hungareze, por emri i klubit për momentin nuk bëhet i ditur. Rrapaj ka një arsye më shumë për të luajtur në këtë derbi pasi mund të bind përfundimisht skuadrën hungareze për ta blerë gjatë merkatos së verës. Ky do të ishte një hap përpara në karrierën e vlonjatit, ndërsa nga transferimi i tij do të përfitonte edhe Partizani.