
Lojtarët e Luftëtarit, dëbohen nga hoteli pasi pronari presidenti i Luftëtarit Tavo nuk ka paguar detyrimet karshi pronarit. Sipas asaj çka raporton portal “Jugu News”, prej ditësh lojtarët e Luftëtarit, janë akomoduar në një prej hoteleve në zonën e Pazarit Karakteristik pasi në hotelin ku qëndronin prej 6 muajsh, pagesat për shërbimet e akomodimit nuk janë likujduar pronarit të hotelit në pjesën e poshtme të Gjirokastrës.
Presidenti i Luftëtarit, mesa duket po përjeton ditët e tij më të vështira ekonomike aq sa i detyrohet pronarit të hotelit ku akomodohej ekipi prej 6 muajsh, një shumë marramëndëse prej disa dhjetëra milionë lek. Shifra nuk bëhet e ditur por debiti është i grumbulluar prej muajit gusht e deri në muajin dhjetor.
Kaq ka mjaftuar që pronari i hotelit, në pamundësi për të marrë fitimet e tij sipas një marrëveshjeje dypalëshe, është detyruar që të dëbojë lojtarët nga hoteli dhe të ndërpresë trajtimin ushqimor që servirej në restorantin e këtij hoteli. “Viktima” e radhës mesa duket, është pronari i hotelit tjetër që ka pranuar të akomodojë futbollistët e Luftëtarit.
Kujtojmë që Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës, para disa muajve, ka lëvruar një fond prej 270 milionë lekësh në arkën e Luftëtarit, e vec kësaj, qytetarët gjirokastritë, derdhin cdo muaj me detyrim, 100 lek në arkën e Luftëtarit cdo muaj si taksë në faturën e ujit të pijshëm ndërkohë që bizneset, derdhin minimalisht nga 5000 lekë.
Nga një përllogaritje, del se cdo muaj në arkën e Luftëtarit, qytetarët gjirokastritë, derdhin një shumë gati 160.000 euro dhe në vit afërsisht 2 milionë euro një shumë kjo që do ta kishte zili edhe ekipe elitare të rajonit.