Skënder Gega përbën gjithmonë lajm, mjafton të përmendet emri i tij. Ka shkruar historinë në futbollin shqiptar jo vetëm si lojtar, por edhe si trajner. 26 vite iu deshën të kuqve të festonin dhe të ngrinin edhe një herë trofeun e titullit kampion mu në mes të stadiumit “Selman Stërmasi”. Ditën e djeshme, profesori ishte në një lidhje të drejtëpërdrejtë me gazetarin Andi Kasmi.
Edhe pse prej vitesh larg trojeve shqiptare, Andi vijon të ketë të njëjtin pasion për futbollin sikurse asokohe kur me “penën” e artë linte gjurmë në gazetarinë sportive. Të dy, siguruan një lidhje së bashku, ashtu të thjeshtë, pa kamera profesionale, jo në mënyrë institucionale, por sikurse dy tifozë komunikojnë së bashku për pasionin për futbollin, për dashurinë për Partizanin. Personalisht përpos të tjerave më tërhoqën vëmendjen dy deklarata.
Vazhdon të jetë në të njëjtën linjë dhe nuk hap polemika. “Partizani, si me thanë, aty kam hangër buk. S’pështyhet ku ke hangër. Nuk jam nga ata që hedh gurë here pas here prej larg. Kisha arsyet e mia dhe kërkova largimin. Te Partizani kishim një projekt që e çuam në fund. Ishim unë, Olsi dhe Gazi. Ia arritëm. Tani unë kam ikur, kanë mbetur ata të dy. Kanë dhe trajnerin. Ndonjëherë drejtuesit bëjnë ashtu si dinë”, tha ndër të tjera Gega.
Pikërisht kjo fjalia e fundit të lë të kuptosh më shumë. Ka raste kur drejtuesit nuk veprojnë siç duhet dhe gabojnë tha me fjalë të tjera profesori i nderuar. Intervista e tij ishte e gjatë e zgjeruar ashtu sikurse emocionet përgjatë sezonit 2018-2019. Në një moment, dashur pa dashur, për të treguar profesionin e lojtarëve ai tha: “Ka futbollistë që puthin stemën dhe për 6 muaj të shkojnë në ekipin rival. Ata janë profesionistë, janë makina gare”, u shpreh tropojani.
Profesori vijon të jetë i njëjtë. Nuk godet kurrë drejtëpërdrejtë. I pëlqen të sulmojë si skuadër. Siç përmendi “Labin”, qetësinë e Belicës, cilësitë e Trashit, Hilën dhe Telushin që ishin motorri i atij ekipi apo “BAM”-in që kishte arritur të vinte përposhtë çdo kundërshtar, Ner Gega do të mbetet gjithmonë ai: Kampioni! Në fund i vuri kapakun: “Shtëpia ime është Partizani”, e thënë ndryshe jam gati për aty sa herë të jetë nevoja. Drejtuesit duhet ta dëgjojnë mirë. Ndoshta Partizani ka nevojë sërish për titull… /Retin TOKA/