
Laçi është një tjetër skuadër në Superiore që nuk e njeh fitoren prej disa javësh. Kurbinasit kanë 8 ndeshje në kampionat që nuk kanë mundur të sigurojnë 3 pikësh.
Kjo ka bërë që tashmë ta shikojnë veten në ‘vorbullën’ e ekipeve që luftojnë për mbijetesë. Aktualisht bardhezinjtë mbajnë vendin e 7-të në klasifikim me 31 pikë, po aq sa Teuta që ndodhet në zonën “Play-Out”, por durrsakët kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Fitorja e fundit e Laçit është ndaj Partizanit më 20 janar dhe prej 2 muajsh bardhezinjtë nuk arrijnë dot të sigurojnë 3 pikët. Ndaj Demave do të triumfonin 2-1 dhe si për ironi të fatit do të jenë të kuqtë kundërshtari i radhës në kampionat.
Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu do të ketë 2 javë kohë për të përgatiru këtë sfidë dhe për të tentuar të dalin nga kriza në të cilën ndodhen. Do të luajnë në shtëpi dhe ky është një motiv më shumë për të tentuar fitoren ndaj kampionëve për të larguar edhe “makthet” e rënies nga kategoria.