Merkato e dimrit solli shumë ndryshime për skuadrën e Partizanit. Largimi i tre lojtërve kyç si Bitri, Skuka dhe Rrapaj kanë lënë boshllëqe në formacion. Zëvëndësimi i tyre duket gati-gati i pamundur për pjesën e mbetur të sezonit. Nëse për Skukën u gjet një sulmues si Christian Mba, për Bitrin dhe Rrapaj nuk janë gjetur pasues.
Collela duhet të shoh nga stoli apo nga të rinjtë për të “blinduar” formacionin sepse luftojnë për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Largimi i Bitrit në mbrojtje dhe i Skukës në sulm u pasqyrua menjëherë tek “të kuqtë”, ku në dy ndeshjet e fundit në kampionat kanë marrë vetëm një pikë, duke pësuar 3 gola dhe shënuar vetëm një gol.
Tani italianit i duhet të bëjë llogaritë në mesfushë edhe pa Rrapaj, i cili u largua në orët e fundit të merkatos në Bullgari tek Ludogorets. I vetmi lajm i mirë për kryeqytetasit është forma e mirë e Engjëll Hotit, i cili duket se ka marrë mbi supe këto ndeshje të fundit peshën e Skukës dhe Rrapaj.