
Teuta pret Vllazninë në Niko Dovana për të rinisur kampionatin e tyre me synimin e qartë, 3 pikët e para. Ndeshja e javës së 6 në Abissnet Superiore do të tranmetohet edhe në ekranin e RTSH. Vllaznia pas fitores me Kastriotin kërkon 3 pikët e rradhës me sytë nga derbi i Tiranës dhe Partizanit për të parë se kush do të gabojë. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka dalë në konferencë për shtyp përpara ndeshjes.
Ndërprerja e kampionatit - “Pauza na ka bërë mirë me disa lojtarë që janë kthyer nga problemet fizike. Na ka shërbyer taktikisht dhe teknikisht. Kemi disa ditë që punojmë me dy seanca dhe kemi bërë një punë të mirë mendoj. Shpresoj që ditën e ndeshjes të bëjmë po aq mirë sa edhe në stërvitje.”
Barazimi në Kupë - “Ndaj Luzit menduam të fitonim dhe të luanim mirë. Pavarësisht se nuk fituam, mendoj që kemi bërë një lojë të mirë me ato kushte atmosferike që kishte. Mora sinjale pozitive por duhet ndryshuar disa gjëra.”
Vllaznia - “Çdo javë do të jetë e vështire. Respekt për Vllazninë, ka ekip cilësor që të hapin probleme në një ditë të mirë por ne kemi mënyrën tonë dhe karakterin tonë për të luajtur, për të bërë më të mirën pavarësisht kundërshtarit.”
Presioni i pikëve – “Nuk duhet të mendojmë dhe nuk duhet të ketë presion. Ekipi duhet të bëjë më të mirën e mundshme, çdo lojtar në funksion të skuadrës, të bëjë atë që ne kërkojmë dhe presioni duhet të jetë pozitiv, jo negativ. Duhet të marrim shtysë dhe forcë për 3 pikët dhe jo presion psikologjik. Nuk duhet të kemi presion sepse është vetëm fillimi, ka shumë ndeshje dhe jam i bindur se me këto emra në skuadër do të jemi më lart.”
3 pikët e para – “Mendoj që po dhe të gjithë, unë, klubi, tifozët, skuadra, lojtarët nëse bëjmë mirë patjetër. Në këtë ndeshje duhet të kemi edhe pak fat me vete që rastet e shfaqura të përkthehen në gol sepse ndeshjet e fundit kemi pasur raste por nuk kemi shënuar. Nëse e bëjmë do të jetë më e thjeshtë nga na psikologjike.”
Mungesat – “Doja t’i kisha të gjithë. Mungon përsëri Qaqi, Jazxhi dhe Çyrbja që mungon për probleme fizike. Por e kam thënë që kam respekt për të gjithë ata që stërviten dhe ata që futen të luajnë e të meritojnë pse jo formacionin titullar.”- deklaroi Shkëmbi.