
Redi Jupi foli ditën e djeshme për situatën në të cilën gjendet vendi ynë dhe e gjithë bota. Në këtë moment askush s’mund të flasë për futboll pasi primare është të kalohet kjo gjendje kaotike e shkaktuar nga Coronavirusi. Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama pasi ky i fundit e ka përfshirë sportin në fashën e tretë me rrezikshmëri të lartë. Ish-kapiteni i Dinamos, sot pronar i një Akademie në vendin tonë, duket se është prekur shumë financiarisht nga kjo situatë.
Ai bëri një deklaratë të habitshme teksa theksoi se shanset
për t’u infektuar në stërvitje janë më të pakta se në shtëpi. Natyrshëm lind
pyetja: Si mund të infektohesh në shtëpi, kur e gjithë bota, kur të gjitha
qeveritë masë paraprake për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit kanë qëndrimin
në shtëpi. Ndoshta e ka thënë në nxitim e sipër sepse në një fushë futbolli, për
më tepër kur stërvit edhe fëmijë dhe këta të fundit s’arrijnë ta kuptojnë vërtetë
rrezikshmërinë e këtij virusi, rrisku për t’i përgatitur fizikisht është shumë
i lartë.
Megjithëse Coronavirusi ka dëmtuar xhepat e gjithë shqiptarëve, me më rëndësi në
këto momente është ta kalohet kjo situatë. Akademia aty ka qenë, është dhe do të
mbetet. Një ditë më pak ose më shumë s’do të bëjë diferencë në formën fizike të
futbollistëve. Fundja historia ka treguar se asnjë futbollist nga Akademitë
shqiptare nuk ka bërë namin duke u katapultuar direkt në ato europiane. Ndaj me
rëndësi është interesi publik dhe jo ai personal. Të kalohet kjo gjendje e vështirë
dhe duke u bazuar në modelin europian (ku fëmijët janë të fundit që dalin në stërvitje),
të veprohet edhe në vendin tonë.
ÇFARË DEKLAROI REDI JUPI:
“Tani është bërë një kohë e gjatë dhe asnjë nuk e priste që do të shkonte kështu, që të jemi të mbyllur dhe pa aktivitete. Sa i përket futbollit tonë ka dhënë, po jep dhe do të japë shumë me nivele të larta.
Po e shohim se bota është e mbërthyer nga kjo gjendje jo e lehtë po të themi, por për mendimin tim është pak e ekzagjeruar. Gjithsesi jemi rënduar shumë psikologjikisht në këto kohë. Kam lexuar dje lajmin se kryeministri Rama e ka futur futbollin në fashën e tretë, pra atë më të rrezikshmërinë. Por duhet të bëjmë disa dallime këtu.
Stërvitjet dhe ndeshjet janë dy gjëra të ndryshme, pasi ajo e para nuk mund të futet as te faza e parë për rrezikshmëri, për mua futet te fasha zero. Sepse në një fushë futbolli dhe ku merr rregullat e duhura, ke më pak shanse që të infektohesh se në shtëpi.
Pastaj edhe te vetë ndeshjet mund të bëhen kategorizime, pasi nuk është njësoj që të luhet një ndeshje derbi me 20 mijë tifozë le të themi dhe një tjetër që nuk ka shumë mbështetës, sepse nuk dua të përmend emra ekipesh. Unë shpresoj që në fillimin e majit të nisi stërvitja dhe për 15 ditë do të jenë gati. Kjo kërkon seriozitetin e duhur dhe të mos themi që hajde mo se futboll është, kemi gjëra të tjera të rëndësishme tani”.