
Kukësi është një prej 4 skuadrave të kualifikuara në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Verilindorët ia dolën të kalojnë Partizanin në çerekfinale, ndërsa tashmë do të duhet të bëjnë llogaritë me Tiranën për finalen e madhe.
Menjëherë pas triumfit me Demat, erdhe dhe fitorja në kampionat ndaj laçit. Një fitore që mungonte prej më shumë se 16 javësh në Kukës. Ardhja e Bledar Devollit duket se është e “goditur”, me ish-trajnerin gjirokastrit që ka rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive.
Mbijetesa mbetet e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur. Aktualisht verilindorët ndodhen në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit me 22 pikë, 6 larg zonës “Play-Out”. As shumë, por as pakë, kur ka mbetur edhe 1 fazë e tërë për t;u luajtur. Stafi dhe lojtarë shpresojnë deri në fund se do t’ia dalin të qëndrojnë mes më të mirëve, ndërsa kërkojnë të shpëtojnë sezonin.
Kupa e Shqipërisë gjithashtu është në “dritare” shprese për ekipin e Devollit dhe tashmë kanë “ndezur” motorët për sprintin e fundit të sezonit. Gjithçka duhet të nisë ndaj Vllaznisë, sfidë që do të luhet në “Kukës Arena” ditën e dielë në orën 14:00 dhe çdo ndeshje për ta do të jetë një “finale” për mbijetesën.