Tirana dhe Partizani do të luajnë Derbin numër 172 më 3 dhjetor. Ndeshja e vlefshme për javën e 15-të të Abissnet Superiore do të nisë nga ora 17:00 në stadiumin “Air Albania”.
Një derbi që nuk luhet vetëm për 3 pikët, por brenda kësaj ndeshje janë kryeqyteti, historia dhe prestigji. Një sfidë jo vetëm brenda fushës së blertë, por edhe në shkallët e stadiumit. Dy tifogrupet më në zë në Shqipëri janë gati të përballen në “distancë” nga njëra portë në tjetrën me koret e tyre që i personalizojnë. Tirana me “Fanaticsat” nga pas dhe Partizani që udhëheq “Guerrilsat”, Derbi i së dielës pritet të jetë një nga më të 'ndezurit'.
Përsa i përket statistikave të përgjithshme, në 171 Derbit e zhvilluar më parë, “Demat” kanë fituar 71, ndërsa “bardheblutë” kanë triufmuar 47 herë. Në 53 raste, derbi është ndarë në paqe. Ndërsa në 10 sfidat e fundit, është Tirana ajo që ka regjistruar më shumë fitore. 4 herë kanë trifumuar bardheblutë, ndërsa 3 herë Partizani, teksa 3 ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim.
Por Tirana gjithashtu ka që më 2 tetor të vitit 2022 që nuk ka fituar një derbi, dhe të dielën në “Air Albania” kërkon që të marrë një triumf pas më shumë se 1 viti.
Në krahun tjetër Partizani kërkon fitoren që të rimarrë vendin e parë në klasifikim dhe të udhëheqë e vetme në krye.