Flamurtari këtë vit nuk mundi të plotësojë asnjë nga objektivat e përcaktuar në fillim të sezonit. Sigurisht që kjo gjë nuk iu ka pëlqyer drejtuesve të klubit, të cilët kanë vendosur të marrin masa drastike lidhur me kontratat që do të firmosen për sezonin e ri.
Vendimi për këto ndryshime është marrë nga administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi i cili ka vendosur si objektiv kryesor në kontratë pozicionimin në tre vendet e para në tabelën e klasifikimit për sezonin e ri, duke mos diskutuar në asnjë moment Europën.
Te Flamurtari janë dhe dy çështje të tjera për tu zgjidhur, trajneri dhe rinovimet e kontratave me lojtarët aktualë. Edhe pse Idrizi është shprehur disa herë në daljet e tij se kjo punë do nisë shumë shpejt, duket se administratori po mendon të vendosë fillimisht pikat mbi "i" dhe më pas të nisë nga puna për sezonin e ri.