Nesër, Kukësi do të luajë kundër Wolfsburg, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Europa League. Jo vetëm për verilindorët, por edhe një nga lojtarët e gjermanëve kjo sfidë do të jetë e veçantë. Bëhet fjalë për Renato Steffen, futbollistin e zvicerian i cili është i martuar me një vajzë shqiptare.
Mesfushori 28-vjeçar ka rrëfyer emocionet e para për këtë sfidë, ku ekipi i tij është dukshëm favorit në letër. “Gruaja ime vjen nga një vend i cili është vetëm një orë larg Kukësit”, tregon ai duke zbuluar përjetimin ndryshe të këtij takimi. Prej 4 vitesh ai është në një lidhje, tashmë e kurorëzuar me martesë, me bukuroshen shqiptare, Qëndresa.
Bashkëshortja e tij do të donte që kjo ndeshje të zhvillohej me tifozë. Shumë të afër të saj kanë shprehur dëshirën për të parë nga afër këtë takim, mirëpo situata e krijuar prej pandemisë COVID-19 s’e lejon një gjë të tillë.
“Ajo ndjen keqardhje, por të shohim se çfarë do të organizojë gruaja ime. Mua më pëlqen mentaliteti i njerëzve atje (në Shqipëri). Udhëtimi në një vend të tillë në këtë periudhë nuk është aq dramatik. Do të jemi shumë të organizuar, siç ndodhi në Ukrainë me kombëtaren.
Si lojtarë, duhet të marrim përgjegjësitë e duhura për veten. Ky do të jetë një udhëtim interesant, diçka ndryshe. Gjëja e rëndësishme është që të kthehemi me një fitore dhe të kualifikohemi në turin tjetër”, ka thënë ai për mediet gjermane.