
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para medieve në lidhje me duelin që bardheblutë luajnë nesër me Bylisin. Kampionët në fuqi të vendit luajnë në shtëpi përballë ballshiotëve në orën 13:00, me Shehin që ka treguar problematikat me mungesat dhe objektivin që është fitorja ndeshje pas ndeshje.
"Dueli me Bylis - Personalisht jam i mendimit që nuk ka kundërshtar të lehtë, sidomos në këtë vazë të Kategorisë Superiore që skuadrat janë me objektiva të qarta. Nuk është ndeshje e lehtë, është një ndeshje që do vlerësim maksimal.
Skuadra? Nuk jemi në 100%, kemi mungesa. Najdovski akoma nuk është bashkuar me skuadrën, po ashtu dhe Danso për arsye shëndetësore që dihen tashmë. Kemi dhe pak probleme me Torasën dhe Kalenë sepse nga ana fizike nuk janë në 100%. Por, lojtarët që u futën në fushë ndaj Vllaznisë, mendoj që e përligjën besimin dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë rritëm.
Objektivi - Futemi në fushë për të dhënë dhe marrë maksimin nga ndeshja. E dimë shkallën e vështirësisë, por kurrsesi nuk duhet të mendojmë humbjen apo barazimin, duhet të mendojmë atë, që ne duhet të japim 100% tonë në fushë. Se çfarë prodhon fusha është një tjetër gjë. Jemi në një situatë që pikët janë të domosdoshme, do të luftojmë shumë për t'i marrë ato.
Bylis mace e zezë këtë sezon - Po luajmë përpara një kundërshtari që s'kemi fituar asnjë ndeshje dhe do të bëjmë çështje e mundur që ta fitojmë ndeshjen. Kundërshtarë që këto javët e fundit po bën mirë, çka ja vështirëson manovrën ekipit dhe mënyrën si do të luajë. Bëhet e vështirë ndaj një kundërshtari të tillë. Terreni mendoj që në këtë kohë të tillë, besoj do të jetë në gjendje optimale. Shpresoj të jetë në gjendje të mirë që edhe skuadra të shprehet mirë.
Seferi gabon para porte - Për mendimin tim, ja kam thënë dhe atij, është një nga lojtarët tanë kryesor. Jo më kot u zgjodh lojtari i ndeshjes me Vllazninë, për atë që i dha skuadrës. Sigurisht që sulmuesi edhe raste do të humbi, por kur prodhon shumë dhe mban mbrojtjen gjithmonë në tensionon dhe kur shërben unë besoj se ka bërë mirë. Dha asistin te goli i dytë i Kale. Ka shënuar 2 gola. Kam besim te aftësitë e tij. Shpresoj që nesër ai të shënojë, për të marrë atë që krijon.
Titulli kampion - Duhet të shikojmë ndeshjen e radhës. Të rikuperojmë pikët dhe të shikojmë të arrijmë atë që kemi përpara. Pastaj në fund fare bëhet llogaritë. Gara është e gjatë, ka shumë pikë në lojë, por duhet t'i marrim ndeshjet 1 nga 1", tha Orges Shehi.