
Futbolli në Shqipëri mori të premte zyrtarisht dritën jeshile për rinisjen e garës pa tifozë, ndërsa të shumta do jenë rregullat e reja për zhvillimin e një ndeshje në kohën e pandemisë. Të mërkurë në orën 17:00 do të rinisë Kategoria Superiore, me ndeshjet që do të kenë një protokoll të veçantë higjieno-sanitar dhe jo vetëm.
Për zhvillimin e një ndeshje, do të lejohen maksimumi 165 persona, teksa stadiumi do të ndahet në tre zona. Fusha dhe zona teknike, tribuna dhe perimetri i stadiumit. Futbolli në Shqipëri, ndryshe nga shumë vende evropiane do të nisë pa kryer tamponat për lojtarët dhe stafet, vendim i kontenstuar nga specialistët e fushës. Duket se kryerja e testeve do të rëndonte financiarisht klubet.
Për mbërritjen në stadium, klubet duhet të përdorin më shumë se një autobus, me stafet që duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse. Në tribunë lejohen vetëm 59 persona, të cilët duhet të respektojnë distancën prej 2 metrash nga njëri-tjetri. Në zonën e gazetarëve nuk do të lejohen më shumë se 10 persona.
Në fillim të ndeshjes nuk do shohim më maskota apo fëmijë shoqërues, takime apo shtrëngime duarsh mes lojtarëve. Skuadrat do të dalin nga tuneli në mënyrë të distancuar, ndërsa nuk do të ketë rreshtim në fushë, një mënyrë për të shmangur kontaktet. Një tjetër aspekt i ndryshuar është edhe afrimi te arbitri për të protestuar, gjë që ndalohet dhe ndëshkohet me karton. Katgoria Superiore rinis në 3 qershor dhe përfundon në 29 korrik, me finalen e Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohet në 2 gusht.