
Julian Ahmataj dhe Tirana mësohet se kanë ndarrë rrugët mes tyre, ndonëse mungon zyrtarizimi nga ana e klubit. Trajneri i ri i bardhebluve pritet të jetë Erbim Fagu, i cili siç duket ka besimin e presidentit Refik Halili.
Për shkarkimin e Ahmatajt janë zbuluar edhe prapaskenat që çuan deri në këtë pikë. Humbja në derbi siç duket ka mbushur “kupën” e drejtuesve, të cilët nuk po e “kapërdijnë” dot. Oshilacionet dhe forma e dobët e ekipit në këtë sezon kanë bërë që skuadra të rrezikojë edhe “Final – Four”.
Ditën e djeshme nga sa mësohet nga shtypi i shkruar ka pasur një takim mes Halilt dhe Ahmataj, ku është diskutuar për gjendjen e skuadrës. Palët kanë diksutuar mes tyre me tone të ashpra, ku kreu i klubit akuzon trajnerin për formën e dobët të skuadrës, ndërsa timonieri i bardhebluve nuk e ka pranuar një akuzë të tillë.
Në këto kushte Halili ka kërkuar nga trajneri të japë dorëheqjen, gjë e cila sërish nuk është pranuar nga Ahmataj. Në të tilla kushte ky i fundit është shkarkuar, ndonëse mungon edhe zyrtarizmi. Palët kanë prishur kështu marrëdhënien mes tyre dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizmi i trajnerit të ri para sfidës me Teutën, takim që do të luhet ditën e sotme në orën 17:00 dhe është i vlefshëm për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.