Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Zonja ministre, mos e plagosni futbollin, mos i vrisni ëndrrat e fëmijëve! Po tentojmë Europën, por do të mbesim jashtë me “këmbët tona”...

Shkruar nga NEWSPORT
Zonja ministre, mos e plagosni futbollin, mos i vrisni ëndrrat e

Nga Retin TOKA

“Po të më pyesnin mua...”, kaq mjafton të dëgjosh nga mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero dhe mund të arrish të kuptosh shumë gjëra në këtë periudhë të vështirë pandemie që ka “pushtuar” vendin tonë. Futbolli është ndalur prej afro 2 muajsh dhe askush s’po e vë “ujin në zjarr” nga ata që drejtojnë Shqipërinë, ata që na përfaqësojnë ne në parlament, ne, të “ashtëquajturit” sovran.

Ministrja e Shëndetësisë që në këtë periudhë pandemie ka “marrë topin në këmbë”, deklaron dhe del e “bërtet” se grumbullimi me më shumë se 5 persona është i rrezikshëm. Nga ana tjetër buza-gaz, madje gjithë krenari, a thua se është triumf personal, tregon që pas datës 18 maj mund të hapen baret dhe restorantet. Pra, të qëndrosh në një ambient të mbyllur nuk na qenkërka e rrezikshme, ndërsa në një stadium me kapacitet prej 22 mijë vendesh, rrezikohet infektimi i madh.

Zonja ministre, a mundesh të na tregosh se kush janë ekspertët e Komisionit që vendosin se futbolli s’duhet të “zbresë në fushë”? Kush na qenkan këta “mjeshtra” që arrijnë në konkluzione se të mbushesh barkun e të bëhesh tapë në restorante s’është e rrezikshme, ndërsa 100 veta në një impiant me 20 mijë vende rrezikojnë “katastrofën”?

Zonja ministre, Pëllumb Pipero është i “juaji”. Si ka mundësi s’është pyetur ai kur ka një jetë në mjekësi? Vetë Pipero e tha: “Po të më pyesin mua, futbolli do të hapet i pari”. Kur një deklaratë të tillë e bën një mjek me 40 vite eksperiencë që ka kaluar shumë stuhi në jetën profesionale, pse nuk na i tregon ata “ekspertët” e tjerë që dikërkan dhe parashikojnë me kaq siguri të ardhmen e “COVID-19”?

Me gjithë konsideratën për postin dhe pozicionin në të cilin jeni, iu ftoj të shihni një ndeshje futbolli. Kontakti i vazhdueshëm për 15 minuta nuk mund të ndodhë në asnjë moment.

Zonja ministre, futbolli është lojë dinamike. Luhet me pasa nga porta në mesfushë e deri në sulm. Nuk ndodh asnjëherë nga porta në portë, ashtu siç “pasoni” ju nga zyra në zyrë. Ndoshta jeni mësuar me ndeshje sepse çdo 4-vjeçar keni dhe ju “Europianin” tuaj me tifozët e shumtë që ju ndjekin dhe deri më dje ju kanë mbështetur. Por, duhet të keni parasysh që ai “kompeticion” do iu vijë sërish dhe vështirë se do t’i keni ata.

Zonja ministre, a i dini pasojat që do të ketë nëse futbolli do të mbyllet këtu? Me siguri që jo! A e dini sa breza do të “vrisni” në këtë mënyrë? A e di çfarë do të thotë të lësh një talent në shtëpi në këto momente? Është njësoj si t’i presësh këmbët, është fiks si ajo lulja e bukur që thahet po nuk e ujite. Për të mos llogaritur dëmet financiare që do t’i shkaktohen Akademive, në këtë mënyrë do të vritet futbolli shqiptar. Do të vritet e ardhmja e lojës më të bukur në botë.

Nëse do të shkelje vetë me këmbë çdo cep të fushave të blerta, jam i bindur që do të dashuroheshe dhe ti ashtu si çdo sportdashës me këtë lojë, me talentat që “prodhon” futbolli ynë. Si mund të presësh që një lule e bukur të jetë e tillë dhe kur të rritet? Nëse s’e ushqen, nëse s’e mirëmban, si mund të pretendosh një gjë të tillë? Është e pamundur.

Shefi juaj e ka thënë me kohë që nuk e ndjek sportin shqiptar, veç Kombëtares që shfaqet në stadium për të plotësuar stolat VIP. Pra, e ka thënë “shkoqur” se nuk është në interesin e tij zhvillimi i futbollit në Shqipëri. Meritat preferon t’i marrë kur kuqezinjtë shkojnë në Europë apo arrijnë të thyejnë rekorde që më parë ishin të paimagjinueshme.

Ndaj, është momenti që objektivisht të vlerësoni situatën me rastet e pakta me COVID-19 në vendin tonë. Siç e ceka më lart, edhe Pëllumb Pipero është i juaji. Edhe ai është ekspert i fushës dhe publikisht iu vuri në një pozitë që ndoshta s’e kishit menduar. Futbolli për të duhet të nisë, edhe për ju s’ka pse të ndodhë ndryshe. Nëse dikujt s’i pëlqen të fillojë, ka shumë të tjerë që po i bëjnë “xixa” këmbët apo sytë për të parë të preferuarit e tyre.

Futbolli luhet vetëm në fushë dhe ashtu do të jetë gjithmonë, me dëshirën apo pa dëshirën e ndokujt prej nesh. Të jesh i ri dhe pa eksperiencë në një fushë, jo domosdo do të thotë se duhet bërë sipas konceptit që ke. Sepse mendojmë se jemi pranë Europës, por me “këmbët tona” mbesim jashtë saj...

Zonja ministre... Mos e vrisni futbollin! Mos i vrisni ëndrrat e fëmijëve! Është momenti për të vepruar siç duhet, “dhuratat” t’i lëmë për fundvit.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga