
Skënderbeu luan nesër, në orën 19:00 ndeshjen e fundit në Europa League ndaj Jang Bojsave. Duke parë se ekipi korçar nuk ka më asnjë mundësi për të shkuar më tej, është menduar nga trajneri Ilir Daja që ndeshja e fundit e Europa League të kthehet në një "vitrinë" për lojtarët.
Largime të sigurta në muajin janar janë Jashanica dhe Gavazaj, të cilët kanë konfirmuar "divorcin" me Skënderbeun në merkaton e ardhshme. Një tjetër largim mund të jetë ai i Martin Nespor, kjo për shkak të problemeve shëndetësore që ka shfaqur kohët e fundit duke mos ndihmuar ekipin korçar. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakiç, i cili ka zbuluar se problemet fizike të çekut mund të çojnë në rishikimin e kontratës së lojtarit.
Por nuk mjafton me kaq, pasi në kampin korçar pritet të ketë dhe afrime, të cilat nuk pritet të jenë të shumta në numër, por do të jenë cilësore. Flitet për të paktën një sulmues, i cili do mund të ndihmojë Ali Souenë në pjesën e mbetur të kampionatit.