
Edon Hasani u largua papritur nga Vllaznia drejt Iranit ku firmosi një kontratë të re me klubin e Sepahan-it. Klubi i Vllaznisë duke mos ditur se çfarë kishte ndodhur, ka reaguar pak pas konfirmimit të arritjes së marrëveshjes së re të Hasanit me skuadrën e re.
Situata nuk është pritur mirë nga shkodranët të cilët kanë kërkuar që çështja të shkojë në gjyq pasi largimi i mesfushorit në atë mënyrë ishte e papranueshme. Dje, Sepahani ka lujtur ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Saipa-s dhe Hasani nuk ka qenë i grumbulluar, pasi pritet ITC-ja (certifikata e transferimit ndërkombëtar), e cila ende nuk i është lëshuar nga Vllaznia.
Mungesa e Hasanit në këtë ndeshje nënkupton bllokimin që i ka bërë klubi shkodran mesfushorit për të bërë kalimin e rregullt në ekipin e ri. Nuk dihet cili do të jetë vendimi nga ana e klubit të Vllaznisë dhe gjithçka pritet të zbulohet në merkaton e janarit për të kuptuar nëse Vllaznia do lëshojë "pe" apo do ta çojë çështjen në gjyq ashtu sikurse u tha pak ditë më parë.